Kushtet e Shërbimit

Përditësuar për herë të fundit: 29 Tetor 2026

Këto Kushte të Shërbimit rregullojnë përdorimin e platformës StaffLinker, e cila lidh punonjës të çdo industrie që shërben klientë me pronarë biznesesh, dhe u lejon klientëve të lënë vlerësime për shërbimin që marrin. Duke krijuar një llogari ose duke përdorur platformën në çfarëdo mënyre, pranon këto kushte.

Nëse nuk pajtohesh me ndonjë pjesë të këtyre kushteve, të lutemi mos e përdor platformën.

Përmbajtja

  1. Kush jemi
  2. Llogaritë dhe regjistrimi
  3. Për pronarët e bizneseve
  4. Për punonjësit
  5. Për klientët që lënë vlerësime
  6. Abonimet dhe pagesat
  7. Sjellja e ndaluar
  8. Pronësia e të dhënave
  9. Kufizimi i përgjegjësisë
  10. Përfundimi i llogarisë
  11. Ndryshimet e këtyre kushteve
  12. Na kontakto

1. Kush jemi

StaffLinker është një platformë që u mundëson pronarëve të bizneseve (restorante, hotele, dyqane, klinika, salone dhe çdo biznes tjetër që shërben klientë) të gjejnë dhe verifikojnë staf bazuar në vlerësime reale nga klientë, dhe u mundëson punonjësve të ndërtojnë një histori pune të verifikuar që i përket atyre, jo vendit të punës ku punojnë në një moment të caktuar.

Platforma operon nga Shkodra, Shqipëri.

2. Llogaritë dhe regjistrimi

StaffLinker ka dy lloje llogarish: llogari Pronari dhe llogari Punonjësi. Secili person mund të mbajë vetëm një lloj llogarie të lidhur me një email specifik.

Kur regjistrohesh, je i detyruar të japësh një email dhe, kur kërkohet, një numër telefoni që përdor realisht dhe që ka WhatsApp aktiv. Numri i telefonit përdoret nga sistemi për të lehtësuar kontaktin mes palëve gjatë procesit të punësimit, siç shpjegohet më poshtë. Email-i përdoret për verifikim, njoftime, dhe rikuperimin e fjalëkalimit nëse e harron. Je përgjegjës të mbash këto të dhëna të sakta dhe të përditësuara.

Je përgjegjës për konfidencialitetin e fjalëkalimit tënd dhe për çdo veprim që ndodh nën llogarinë tënde.

Mund të aktivizosh opsionalisht verifikimin me 2 hapa nga profili yt. Pasi ta aktivizosh, për të hyrë do të të duhet fjalëkalimi dhe një kod 6-shifror nga një aplikacion autentifikimi (si Google Authenticator ose Salesforce Authenticator). Gjatë aktivizimit merr edhe një grup kodesh rezervë që shfaqen vetëm një herë; je përgjegjës t'i ruash në vend të sigurt.

3. Për pronarët e bizneseve

3.1 Regjistrimi i biznesit

Kur regjistron një biznes, ai mbetet i paverifikuar dhe i padukshëm publikisht derisa të konfirmosh linkun e verifikimit që dërgohet në email-in tënd. Nëse ndryshon më vonë të dhëna të rëndësishme të biznesit — si adresa apo vendndodhja — do të kërkohet riverifikim, gjatë të cilit vendndodhja e mëparshme mbetet aktive për qëllime vlerësimi, deri sa ndryshimi i ri të konfirmohet.

Një llogari Pronari mund të menaxhojë disa biznese nën të njëjtin abonim, sipas kushteve të përshkruara në seksionin e pagesave.

3.2 Gjetja dhe ftesa e punonjësve

Si pronar, mund të kërkosh mes punonjësve që kanë shënuar veten "hapur për punë" dhe t'u dërgosh ftesë për punë. Kur dërgon një ftesë, platforma i dërgon punonjësit njoftim brenda sistemit, dhe njëkohësisht hap një bisedë WhatsApp me një mesazh të para-përgatitur drejt numrit të tij, nëse e ka dhënë atë. Ky mesazh nuk zëvendëson pranimin zyrtar brenda platformës — punonjësi duhet ta pranojë ftesën brenda StaffLinker që të bëhet zyrtarisht pjesë e stafit tënd.

Këshillojmë të flisni fillimisht me punonjësin nëpërmjet WhatsApp, dhe të shqyrtoni së bashku profilin dhe historikun e tij, para se të konfirmosh pranimin brenda platformës.

3.3 Aplikimet

Punonjësit gjithashtu mund të aplikojnë vetë për biznesin tënd, nëse e kanë gjetur atë në listën publike të bizneseve. Kur dikush aplikon, sistemi të dërgon njoftim dhe hap gjithashtu një bisedë WhatsApp drejt numrit të aplikuesit, që të mund të bisedoni para se ta pranosh ose refuzosh aplikimin.

3.4 Pikat e shërbimit dhe caktimi i stafit

Çdo biznes ka pika shërbimi fizike (p.sh. tavolina, banaka, sportele, stacione pune, dhoma apo çdo pikë tjetër ku shërbehen klientët) të pajisura me NFC akrilik, një për pikë shërbimi, që pronari i merr nga StaffLinker sipas kushteve të seksionit 6.5. Nga paneli yt, cakton cilat pika shërbimi i takojnë secilit punonjës gjatë turnit të tij aktual — ky caktim mund të ndryshohet në çdo moment dhe sa herë të duash, pa prekur asnjëherë vetë NFC-në e pikës së shërbimit. Vlerësimet e klientëve i shkojnë automatikisht punonjësit që është caktuar në pikën e shërbimit përkatëse në momentin kur vlerësimi jepet.

Nga paneli yt, mund të shohësh gjithashtu listën e stafit aktual, vlerësimet e tyre brenda biznesit tënd, dhe të ndezësh ose fikësh turnin e secilit. Vlerësimet e klientëve për punonjësit pranohen vetëm gjatë kohës kur punonjësi është shënuar në turn aktiv, dhe vetëm nëse është caktuar në atë moment te pika e shërbimit përkatëse. Vlerësimi për vetë biznesin, kur përdoret NFC-ja e vetme e biznesit (shih seksionin 3.5), nuk varet nga turni.

Nëse skanon kartën personale NFC të një punonjësi teksa je i kyçur në llogarinë tënde si pronar, do të shohësh historikun e plotë të punës së tij — kjo veçori synon të të ndihmojë të verifikosh eksperiencën e dikujt para se ta punësosh, për shembull gjatë një interviste. Nëse e skanon dikush që nuk është pronar i kyçur ose vetë punonjësi, nuk shfaqet asnjë historik.

Mund ta përfundosh marrëdhënien e punës me çdo punonjës në çdo kohë, njëanshmërisht, nga paneli yt.

3.5 NFC-ja e vetme e biznesit (pa pika shërbimi)

Jo çdo biznes ka nevojë për NFC në çdo tavolinë apo pikë shërbimi — për shembull kur pronari punon vetë ose biznesi është i vogël. Në këtë rast mund të përdorësh vetëm një NFC të vetme për gjithë biznesin. Çdo biznes ka një kod unik të vetin, dhe NFC-ja e biznesit hap faqen e atij biznesi.

Kur një klient e skanon, mund të lërë një vlerësim për biznesin brenda StaffLinker (TrueReview) dhe, nëse biznesi ka një Google Place ID të vendosur, shfaqet edhe një lidhje për të lënë vlerësim në Google Maps. Vlerësimi te Google bëhet në platformën e Google, nën kushtet dhe politikën e privatësisë të Google; StaffLinker nuk e kontrollon dhe nuk e ruan atë vlerësim.

Ndryshe nga vlerësimet e punonjësve, NFC-ja e vetme e biznesit ështę gjithmonë aktive: nuk ndizet e nuk fiket me turnet, dhe vlerësimi për biznesin pranohet në çdo kohë, për sa kohë abonimi yt është aktiv. Nëse në atë moment ka një punonjës në turn aktiv te biznesi yt, klientit i shfaqet edhe vlerësimi për atë punonjës; nëse nuk ka asnjë, shfaqet vetēm pjesa e biznesit.

Vlerësimi i biznesit i përket biznesit dhe nuk ndikon në profilin apo mesataren e asnjë punonjësi. Rregullat e mbrojtjes janē të njējta me vlerësimet e tjera: klienti duhet të jetë brenda 20 metrash nga biznesi dhe mund të lërē vetēm njē vlerësim për biznesin nga i njējti browser (shih seksionin 5).

3.6 Testimonial-et dhe materialet që ngarkon

Si pronar mund të postosh një testimonial për biznesin tënd të verifikuar: një tekst i shkurtër, deri në 4 foto dhe 1 video deri në 30 sekonda. Ai shfaqet publikisht te faqja Testimonials me emrin dhe qytetin e biznesit, dhe e ndryshon ose e fshin vetë nga paneli yt.

Duke ngarkuar foto ose video, konfirmon që ke të drejtën t'i publikosh dhe që personat që duken në to e kanë lejuar. Mos ngarko përmbajtje të papërshtatshme, fyese ose që shkel të drejtat e dikujt tjetër.

Nuk i miratojmë dhe nuk i redaktojmë testimonial-et para publikimit. Fotot dhe videot kalojnë vetëm një kontroll automatik për përmbajtje të papërshtatshme (nga Google Vision), që nuk dëgjon zërin e videos dhe nuk lexon tekstin. Mund ta heqim çdo testimonial që shkel këto kushte. Skedarët ruhen te Backblaze B2, dhe metadatat e tyre (si vendndodhja GPS) hiqen para ruajtjes.

4. Për punonjësit

4.1 Profili dhe pëlqimi

Krijimi i llogarisë si punonjës është falas. Kur regjistrohesh, pranon këto Kushte të Shërbimit në mënyrë eksplicite. Ti kontrollon profilin tënd — emrin, fotografinë, numrin e telefonit, dhe statusin "hapur për punë".

Foto e profilit kalon nëpër një kontroll automatik për përmbajtje të papërshtatshme para se të pranohet. Nëse një foto refuzohet, do të të kërkohet të ngarkosh një tjetër.

4.2 Si funksionon vlerësimi nga klientët dhe karta jote personale

Vlerësimet nga klientët merren nëpërmjet NFC-ve të vendosura te pikat e shërbimit të biznesit. Kur je në turn aktiv dhe je caktuar nga pronari te një ose disa pika shërbimi, çdo klient që skanon njërën prej tyre lë një vlerësim që të shkon direkt ty. Nëse ndërron vend pune, s'ke nevojë të ndryshosh apo rimarrësh asgjë fizike — sapo pronari i ri të caktojë te pikat e tij të shërbimit, vlerësimet e ardhshme do të shkojnë tek ti automatikisht.

Përveç kësaj, ke një kartë personale NFC që e blen vetë një herë, sipas seksionit 6.5. Karta nuk shërben për të marrë vlerësime, por për të parë historikun: kur ti e skanon kartën tënde të kyçur në llogarinë tënde, shikon mesataret dhe historikun tënd, dhe kur e skanon një pronar i kyçur, ai shikon historikun tënd të punës, siç përshkruhet në seksionin 3.4. Nëse e humb kartën, mund të marrësh një tjetër, dhe e para çaktivizohet. POR, ju lutem na kontaktoni direkt për të ri gjeneruar kodin unik tuajin.

4.3 Statusi "Hapur për punë"

Kur e aktivizon këtë status, profili yt bëhet i dukshëm për pronarët që kërkojnë staf, dhe ata mund të të dërgojnë ftesë pune. Nëse je aktualisht i punësuar diku dhe s'e ke aktivizuar këtë status, profili yt mbetet i padukshëm te kërkimet e pronarëve të tjerë, përveç emrit dhe fotografisë.

4.4 Ftesat dhe aplikimet

Kur një pronar të dërgon ftesë pune, merr njoftim brenda platformës dhe një mesazh WhatsApp i para-përgatitur i hapet drejt numrit të tij, që të mund të flisni para se të vendosësh. Të njëjtën gjë mund ta bësh edhe ti — mund të aplikosh vetë për çdo biznes të verifikuar që sheh te lista e bizneseve, dhe kjo hap një bisedë WhatsApp drejt pronarit.

Ftesa apo aplikimi bëhet marrëdhënie zyrtare pune brenda platformës vetëm pasi ta pranosh ose ta pranojnë brenda vetë StaffLinker — biseda në WhatsApp është plotësuese, jo zëvendësuese e këtij hapi.

Mund të kesh deri në tre marrëdhënie pune aktive njëkohësisht.

4.5 Vlerësimet e vendeve ku ke punuar

Kur largohesh nga një punë, mund të lësh një vlerësim për atë përvojë — kjo u shërben punonjësve të tjerë që shqyrtojnë të njëjtin biznes, që të kenë një pasqyrë të ndershme përpara se të aplikojnë. Kjo veçori funksionon në drejtim të kundërt me vlerësimet që marrin punonjësit nga klientët, dhe qëllimi i saj është t'u japë punonjësve mundësi ta njohin një punëdhënës përpara se të pranojnë punën.

4.6 Vlerësimi yt si punonjës

Klientët lënë vlerësime për ty duke skanuar NFC-në e pikës së shërbimit ku po i shërben — vetëm yje, pa koment me tekst të lirë. Ky vlerësim mbetet i lidhur me ty personalisht dhe të ndjek në çdo punë të ardhshme brenda platformës. Nuk mund të fshihet apo ndryshohet nga pronari juaj aktual apo ndonjë tjetër.

5. Për klientët që lënë vlerësime

Kushdo mund të skanojë NFC-në e pikës ku po shërbehet (tavolinë, banak, sportel, stacion pune, dhomë apo çdo pikë tjetër shërbimi), ose NFC-në e vetme të biznesit, dhe të lërë një vlerësim, pa krijuar llogari. Kur e bën këtë, mbledhim dhe përdorim disa të dhëna të kufizuara për të mbrojtur integritetin e sistemit:

Vlerësimi për një punonjës pranohet vetëm nëse je brenda rrezes prej 20 metrash nga biznesi, dhe vetëm nëse pika e shërbimit ku po skanon ka aktualisht një punonjës të caktuar në turn aktiv. Vlerësimi për vetë biznesin, kur skanon NFC-në e vetme të biznesit, pranohet po ashtu vetëm brenda 20 metrash, por nuk kërkon punonjës në turn. Nuk mund të lësh më shumë se një vlerësim për të njëjtin punonjës, ose për të njëjtin biznes, nga i njëjti browser.

Nëse biznesi ka lidhje me Google Maps, mund të të shfaqet edhe një lidhje për të lënë vlerësim te Google. Ai vlerësim bëhet në platformën e Google, nën kushtet dhe politikën e privatësisë të tyre, dhe StaffLinker nuk merr as nuk ruan asnjë të dhënë të tij.

6. Abonimet dhe pagesat

Llogaritë e punonjësve janë falas. Abonimi mujor vlen vetëm për pronarët e bizneseve. Përveç abonimit, ka edhe pajisjet fizike NFC, siç përshkruhet në seksionin 6.5.

6.1 Abonimi

Llogaritë e pronarëve funksionojnë me abonim mujor. Çmimi aktual është €40 në muaj për biznesin e parë, dhe €15 shtesë në muaj për çdo biznes tjetër nën të njëjtën llogari (p.sh. 2 biznese: €55 në muaj, 3 biznese: €70 në muaj). Çmimet janë në euro; taksat përkatëse, aty ku aplikohen, i shton Paddle gjatë pagesës. Numërohen të gjitha bizneset e regjistruara nën llogarinë tënde, përfshirë ato që presin ende verifikimin.

Kur shton një biznes të ri gjatë muajit, nuk ngarkohet asgjë menjëherë: tarifa shtesë hyn te fatura e rinovimit të radhës. Njësoj, nëse heq një biznes, tarifa ulet nga rinovimi i radhës, pa rimbursim për ditët e mbetura të muajit të paguar.

Çmimet aktuale i sheh gjithmonë në momentin e regjistrimit dhe në faqen e abonimit brenda llogarisë tënde. Nëse ndryshojmë çmimet, do të të njoftojmë përpara se ndryshimi të prekë faturimin tënd të radhës.

6.2 Periudha provë prej 2 javësh

Çdo pronar i ri ka 2 javë provë falas. Për ta nisur, nuk të kërkohet kartë krediti dhe nuk të tarifohet asgjë gjatë kësaj kohe. Në fund të 2 javëve, nëse do të vazhdosh, zgjedh planin dhe bën pagesën e parë. Mund ta aktivizosh abonimin edhe para mbarimit të provës; në atë rast pagesa fillon menjëherë. Nëse nuk bën pagesë, llogaria jote nuk tarifohet në asnjë mënyrë, por qasja në veçoritë e pronarit kufizohet derisa të zgjedhësh një plan (shih seksionin 6.7).

6.3 Refundimi

Pasi të bësh pagesën e parë të abonimit, ke 2 javë kohë për të kërkuar rimbursim të plotë, pa nevojë të japësh shpjegim. Pas kalimit të këtyre 2 javëve, pagesat nuk rimbursohen më, përfshirë muajt e mëvonshëm të abonimit dhe periudhat e papërdorura.

Mund ta anulosh abonimin në çdo kohë nga llogaria jote. Anulimi ndalon faturimin e radhës, por nuk sjell rimbursim automatik për periudhën që e ke paguar tashmë, përveç nëse je brenda 2 javëve të përmendura më lart.

Për të kërkuar rimbursim brenda afatit, na shkruaj sipas seksionit "Na kontakto", ose përdor mundësitë e faturimit që të vihen në dispozicion nga Paddle.

Kur miratojmë rimbursimin e pagesës së parë, abonimi anulohet njëkohësisht dhe qasja përfundon. Rimbursimet e pagesave me kartë kalojnë përmes Paddle, që ndonjëherë i shqyrton vetë, dhe koha kur paratë shfaqen në kartë varet nga Paddle dhe banka jote.

6.4 Përpunimi i pagesave nga Paddle

Pagesat e abonimeve përpunohen nga Paddle, i cili vepron si shitësi zyrtar (Merchant of Record) për blerjet e bëra në StaffLinker. Kjo do të thotë që Paddle merret me përpunimin e pagesës, faturat, taksat përkatëse (si TVSH-ja, aty ku aplikohet) dhe me rimbursimet. Të dhënat e kartës i jep drejtpërdrejt te Paddle dhe ne nuk i shohim as nuk i ruajmë.

Duke bërë një pagesë, pranon edhe kushtet dhe politikën e privatësisë të Paddle, të cilat zbatohen paralelisht me këto Kushte të Shërbimit.

6.5 Pajisjet NFC

Pronarët blejnë NFC-të akrilike për pikat e shërbimit të biznesit të tyre: një NFC për pikë shërbimi, me çmim aktual 300 Lek për copë. Pronarët që përdorin vetëm NFC-në e vetme të biznesit (seksioni 3.5) blejnë një NFC për biznes. Punonjësit blejnë vetë kartën personale NFC, një herë, me çmim aktual 500 Lek. Nëse e humb kartën, punonjësi mund të marrë një tjetër, dhe karta e humbur çaktivizohet. POR, mos harroni të na kontaktoni, për arsyen që përmendëm më lart.

Çmimet e pajisjeve mund të ndryshojnë, dhe çmimi që vlen është ai që të shfaqet para blerjes. Këto blerje janë të ndara nga abonimi mujor i pronarit dhe nuk përfshihen në periudhën e refundimit të seksionit 6.3.

6.6 Pagesa manuale (pa kartë)

Në raste të veçanta, mund të biesh dakord me ne të paguash drejtpërdrejt (p.sh. me para në dorë) në vend të kartës. Në këtë rast, qasja jote aktivizohet manualisht nga ne pasi marrim pagesën, dhe mbetet aktive për periudhën e rënë dakord, ose derisa ne ose ti ta mbyllim atë. Çmimet janë të njëjta me seksionin 6.1 dhe llogariten sipas numrit të bizneseve që ke; nuk ka faturim automatik, ndaj pagesën e radhës dhe çdo tarifë shtesë për biznese të reja e rregullojmë drejtpërdrejt me ty.

Mund ta heqim qasjen manuale nëse pagesa e radhës nuk bëhet. Kushtet e rimbursimit për pagesat manuale i zgjidhim drejtpërdrejt me ty. Nëse më vonë do të kalosh te pagesa me kartë, na kontakto dhe e kalojmë llogarinë tënde te abonimi me kartë.

6.7 Menaxhimi i abonimit, pagesat e dështuara dhe pezullimi

Nga faqja "Abonimi" brenda llogarisë mund të shohësh faturat, të ndryshosh kartën dhe të anulosh abonimin; këto hapen te portali i sigurt i Paddle. Anulimi hyn në fuqi në fund të periudhës së paguar, dhe deri atëherë ruan qasjen e plotë.

Nëse një pagesë dështon, Paddle provon ta tarifojë kartën përsëri disa herë, dhe gjatë kësaj kohe qasja jote vazhdon. Nëse pagesa nuk kalon, abonimi anulohet dhe qasja përfundon.

Kur abonimi nuk është aktiv (prova ka mbaruar pa pagesë, abonimi është anuluar ose ka përfunduar), paneli i pronarit kyçet dhe vlerësimet e klientëve për bizneset e tua nuk pranohen. Të dhënat e tua dhe vlerësimet ekzistuese ruhen. Profilet e punonjësve dhe vlerësimet e tyre mbeten, sepse u përkasin atyre (seksioni 8). Qasja rikthehet sapo aktivizon abonimin.

7. Sjellja e ndaluar

Kur përdor StaffLinker, pranon të mos:

Shkeljet e vazhdueshme ose të rënda të këtyre rregullave mund të çojnë në pezullim ose fshirje të llogarisë, me ose pa njoftim paraprak, sipas rëndësisë së shkeljes.

8. Pronësia e të dhënave

Vlerësimet që merr një punonjës i përkasin atij personalisht dhe mbeten të lidhura me profilin e tij pavarësisht se ku punon. Asnjë pronar, i tanishëm apo i mëparshëm, nuk mund t'i fshijë apo modifikojë këto vlerësime.

Të dhënat e biznesit — emri i biznesit, adresa, vendndodhja, pikat e shërbimit dhe caktimet e stafit te to — i përkasin llogarisë së pronarit që i ka regjistruar dhe verifikuar.

9. Kufizimi i përgjegjësisë

StaffLinker ofron një mjet për verifikimin e reputacionit të punës dhe lehtësimin e kontaktit mes pronarëve dhe punonjësve. Nuk marrim përgjegjësi për vendimet e punësimit që merr secila palë, për sjelljen e njërës palë ndaj tjetrës, apo për saktësinë e informacionit që një përdorues jep vetë (si numri i telefonit apo emri).

Platforma ofrohet "siç është". Bëjmë përpjekje të arsyeshme për ta mbajtur atë të disponueshme dhe të saktë, por nuk garantojmë funksionim pa ndërprerje.

10. Përfundimi i llogarisë

Mund ta mbyllësh llogarinë tënde në çdo kohë duke na kontaktuar. Ne rezervojmë të drejtën të pezullojmë ose fshijmë një llogari që shkel këto kushte, sidomos në rastet e manipulimit të vlerësimeve apo krijimit të identiteteve të rreme.

11. Ndryshimet e këtyre kushteve

Mund t'i përditësojmë këto kushte herë pas here. Nëse ndryshimet janë të rëndësishme, do të përpiqemi të të njoftojmë përpara se të hyjnë në fuqi. Vazhdimi i përdorimit të platformës pas një ndryshimi do të thotë që e pranon versionin e ri.

12. Na kontakto

Nëse ke pyetje rreth këtyre kushteve, na shkruaj nëpërmjet formularit të kontaktit te faqja "Rreth nesh", ose direkt në email: [email protected].

12.1 Email-et zyrtare nga StaffLinker

Kur u shkruajmë përdoruesve të StaffLinker, qofshin pronarë apo punonjës, email-et vijnë nga dy adresa:

Çdo email nga një adresë tjetër që pretendon se vjen nga StaffLinker nuk është i yni. Mos i hap lidhjet dhe bashkëngjitjet e tij, dhe na e shkruaj që ta shqyrtojmë.

Faturat dhe konfirmimet e pagesës dërgohen nga Paddle (shih seksionin 6.4), jo nga ne.

Nuk do të të kërkojmë kurrë me email fjalëkalimin, kodet e verifikimit me 2 hapa, kodet rezervë apo të dhënat e kartës.